Më 15 korrik, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të zgjedhë ekipin me të cilin Sali Berisha do ta udhëheqë PD-në drejt zgjedhjeve lokale. Berisha ka vendosur të ripërtërijë partinë, por në postet kryesore nuk pritet të ketë ndryshime.
Mësohet se Flamur Noka do të jetë numri 2 i partisë dhe do të mbajë sërish postin e sekretarit të përgjithshëm.
Gazment Bardhi do të jetë sërish nënkryetar i PD-së, për shkak se është kryetar i grupit parlamentar, dhe nuk do të hidhet në votim.
Pritet të shihet nëse Agron Gjekmarkaj do ta ruajë detyrën e nënkryetarit të PD-së, pasi është nënkryetar i Kuvendit.
Në garë për postin e nënkryetarit do të hyjnë Luçiano Boçi, Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu. PD do të ketë edhe një nënkryetare grua, detyrë që pritet ta mbajë Erisa Bajaziti, e cila jeton në Bruksel dhe do të përfaqësojë diasporën.
Ndryshime priten edhe te sekretariatet, për të cilat pritet të garojnë emra të rinj.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka vendosur ta ripërtërijë partinë, duke sjellë të rinj në disa prej strukturave drejtuese.
Në krye të Këshillit Kombëtar u zgjodh Julia Emiri, e cila zëvendësoi Edi Palokën. Edhe në Kryesinë e partisë, nga 20 anëtarë, 14 u zgjodhën për herë të parë në këtë forum.
/vizionplus.tv




