Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se mbyll sytë para provave të pakundërshtueshme të inkriminimit të Agim Kajmakut.
Nëpërmjet një deklaratë nga selia blu, ish deputeti Ervin Salianji thotë se Rama po e mbron kryebashkiakun e Vorës me kodin mafioz të heshtjes.
PD prej më shumë se një javë, me prova të pakundërshtueshme ka denoncuar të inkriminuarin e radhës në pushtetin e Rilindjes, kandidatin e Ramës për bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku apo siç njihet dhe kërkohet nga drejtësia greke me emrin Jorgo Toto. Dokumente nga gjykata dhe prokuroria e Athinës të publikuara provojnë se i përzgjedhuri i Ramës për të qeverisur qytetarët e Vorës, është i inkriminuari i radhës. Të dhënat e sistemit TIMS rrëzuan çdo alibi apo përpjekje të Ramës për të gënjyer, duke provuar se Agim Kajmaku është personi i arrestuar në Greqi si Jorgo Toto nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara.Partia Demokratike provoi gjithashtu se foto e pasaportës me të cilën është arrestuar në Greqi, Jorgo Toto, është e njëjtë me foton e pasaportës së të zgjedhurit të Ramës, Agim Kajmaku. Me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit. Edi Rama prej 10 ditësh nuk ka thënë asnjë fjalë për mollën e kalbur nxjerrë nga shporta e krimit që mban në dorë. As ai dhe as Kajmaku i tij nuk thonë dot asnjë fjalë për fotografinë e njëjtë në dy pasaporta, sepse fytyra e vërtetë e krimit është në dy pasaportat e një njeriu të vetëm: Agim Kajmakut alias Jorgo Toto, personi që është arratisur nga Greqia.
Salianji nuk kursen as akuzat për prokurorinë, që sipas tij është institucion I kapur nga Rama, pasi përndryshe Agim Kajmaku dhe Valdrin Pjetri duhet të ishin marrë të pandehur.
Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS. Prokuroria nuk zbaton kodin penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit. Edi Rama duhet te mbaje përgjegjësi para banorëve të Vorës për kandidimin e një të kërkuari nga drejtësia për bashkinë e tyre. Agim Kajmaku duhet të largohet nga zyra e zaptuar paligjshmërisht në bashkinë e Vorës. Edi Rama, hesht për Kajmakun e radhës sepse ashtu si çdo organizatë kriminale, edhe grupi i strukturuar kriminal i Rilindjes, zbaton kodin mafioz të heshtjes, “omerta”.
Salianji tha se ky pushtet duhet larguar një orë e më parë.
Pushteti i organizatës kriminale duhet larguar një orë e më parë, si e vetmja rrugë për ta shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat grabitës së djersës dhe pasurisë publike të shqiptarëve të vendosur në shërbim të kryetarit të kësaj organizate, Edi Rama.Zgjedhjet e lira e të ndershme parlamentare dhe lokale njëkohësisht me një qeveri tranzitore janë e vetmja rrugë shpëtimi, për ti dhënë mundësinë shqiptarëve per te hapur rrugën e zhvillimit ekonomik dhe social, rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Europian, rrugë e cila është zënë nga krimi në pushtet.





