Partia Demokratike përmes Dorjan Telitit ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama se mbështetja financiare ndaj bujqësisë nga qeveria gjatë këtyre 7 viteve është rritur trefish.

Në një postim në “Facebook”, Teliti theksoi se kreu i qeverisë jo vetëm që ka shkelur premtimet e bëra për fermerët, por edhe iu ka shtuar atyre taksa, duke i çuar në prag të kolapsit.

Demokrati shtoi mes të tjerash se fermerët po përballen sot me taksa e kosto të larta, kalbje prodhimesh të pashitura dhe mungesë të plotë të mbështetjes nga shteti.

“Pasi ka dështuar të japë llogari për premtimet e pambajtura për bujqësinë, ER orvatet t’u hedhë hi syve fermerëve të falimentuar nga taksat e larta dhe mungesa e mbështetjes konkrete për to. Në 2013 premtoi naftë pa akcizë për fermerët, por u shtoi edhe taksën e qarkullimit 24 lek/litër. Vetëm nga kjo taksë absurde që s’ka asnjë lidhje me bujqësinë, fermerët kanë paguar rreth 100 milion euro në 7 vitet e qeverisjes së tij. U premtoi fermerëve 40 milion euro investime në vit, por nuk ka financuar as gjysmën e tyre. Ndërsa 70% e fondeve të akorduara janë dhuratë nga Bashkimi Europian. Bilanci i vërtetë i ER në bujqësi është ky: •rreth 100 milion euro taksë qarkullimi paguar nga fermerët në shtatë vite; •70% të fondeve për bujqësinë i përfitojnë 50-60 grosistë; •2% e fermerëve kanë marrë mbështetje, ndërsa 98% e tyre nuk e kanë parë dorën e ndihmës nga shteti; •30-40% më e lartë është kosto e prodhimit krahasuar me rajonin; •30% më i ulët është rendimenti i prodhimit bujqësor e blegtoral, krahasuar me rajonin; •2/3 e tokës nuk kanë akses në ujitje e kullim; •Vetem 2,8% e fermave kane traktore apo mjete te mekanizuara. Fermeri shqiptar nuk lexon grafikët e vizatuar nga propaganda. Fermeri shqiptar lexon xhepat e tij të shpuar nga taksat e larta, kostot e larta, kalbja e prodhimeve të pashitura dhe mungesa e plotë e mbështetjes nga shteti.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *