Nga Tepelena, në takimin me mbështetësit e tij demokratë, ish-kryeministri Sali Berisha tregoi se çfarë përgjigje i dha Enkelejd Alibeajt, pasi ky i fundit tha se asnjë person i shpallur “non grata” nga SHBA nuk mund të mbrojë interesat e PD.
“Fryma e pajtimit ekziston edhe në bazë e në qendër, pro ekziston edhe ndonjë problem i vogël. Unë takova palën që mendon ndryshe , por duhet të jemi të hapur. Në dialogun që pata me Alibeajn më tha po por me ty non grata nuk fiton PD dhe duhet të japësh dorëheqjen. I them shiko se edhe në 1997 nuk kishte njeri që besonte se ne do fitonim, por ja që fituam. Erdhi 2005 dhe demokratë ja dolën të ndryshojnë Shqipërisë sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj”, tha Berisha.
Ish-lideri i demokratëve u shpreh se PD kaloi një krizë, e për këtë bëri përgjegjës Lulzim Bashën, për të cilin tha se tentoi ta kthente selinë në bunker.
“Ne e kaluam një krizë dhe ish kryetari i PD dha dorëheqjen si e tha vetë ai për zhvillimet nga 9 shtatori deri sot. Unë ju them ju se asnjë demokrat i Tepelenës apo e Shqipërisë që gjatë këtyre muajve ndoqi në një mënyrë apo tjetër ish kryetarin nuk ka asnjë përgjegjësi për vendimin e 9 Shtatorit sepse ai nuk pyeti njeri. Nuk pyeti institucionet. Ndaj dhe askush nuk ka të drejtë të akuzojë tjetrin për këtë dhe as të pranojë të bëhet autori i një vendimi të tillë. Dje po hiqeshin dyert. A mund të imagjinoni. E ardhmja me bunker. A ishin normale apo nuk ishte normale, nuk mund të them.”





