Javën e ardhshme, Partia Demokratike do të kërkojë në parlament ndryshimin e Kodit Zgjedhor për t’u mundësuar të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk janë pajisur me dokumente identifikimi biometrik të votojnë.
Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, shpjegoi se qytetarët që nuk posedojnë kartë identiteti apo pasaportë biometrike shqiptare duhet të lejohen të votojnë me dokumentet e shtetit ku jetojnë.
“Janë dy kategori; ata që kanë emigruar shumë herët dhe nuk kanë një dokument biometrik të asnjë viti, por kanë dokumente të shtetit ku jetojnë. Nuk dimë shifrën e saktë, por janë të shumtë dhe nuk po arrijnë as të regjistrohen. Po ashtu, kemi ata që kanë lindur në emigracion, kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe kanë marrë vetëm dokumentin e vendit ku jetojnë, si në Greqi apo Itali, por nuk kanë një dokument shqiptar sepse nuk iu është nevojitur kurrë. Këta janë të përjashtuar jo vetëm nga votimi, por edhe nga regjistrimi. Ne do ta bëjmë këtë betejë menjëherë sapo të hapet sesioni parlamentar,” tha Bylykbashi.
PD kërkon që qeveria të lejojë të votojnë edhe ata qytetarë që kanë dokumente identifikimi të skaduara, duke iu referuar raportit të ODIHR që tregon se rreth 600 mijë shqiptarë nuk mund të votojnë për këtë arsye.
“Qeveria të nxjerrë një akt normativ për t’iu shtyrë afatin të gjitha dokumenteve biometrike të lëshuara nga viti 2009, deri në përfundim të procesit zgjedhor,” shtoi ai.
PD gjithashtu është e gatshme të shqyrtojë propozimin e PS dhe KQZ-së për të afruar afatin e regjistrimit të kandidatëve, për t’i dhënë më shumë kohë shërbimit postar që t’u dërgojë fletët e votimit emigrantëve. Një javë pas nisjes së regjistrimit të diasporës, PD ka ngritur shqetësime mbi numrin e lartë të qytetarëve që KQZ ka refuzuar t’i regjistrojë.
“KQZ refuzon rastet kur nuk ka të dhëna të plota për të mundësuar votimin me postë, por nuk ka të drejtë të vendosë: ti voton, ti nuk voton,” deklaroi Bylykbashi.
Nga ana tjetër, PD ka akuzuar PS-në për shkelje të ligjit përmes zyrave të hapura për regjistrimin e emigrantëve dhe ka paralajmëruar padi në prokurori.
“Struktura shtetërore po keqpërdoret; ministra, konsullata dhe ambasadorë po ushtrojnë trysni dhe po mbledhin të dhëna masive të zgjedhësve, duke shkelur ligjin,” tha Bylykbashi.
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit shënojnë rastin e parë që shqiptarët emigrantë mund të votojnë nga vendet dhe qytetet ku banojnë. /vizionplus.tv





