Opozita kërkoi në parlament dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu pas zbardhjes së skandalit në spitalin Onkologjik nga prokuroria e korrupsionit.

Gazment Bardhi: Jep dorëheqjen.

Ministrja e Shëndetësisë Koçiu shfrytëzoi seancën për të shpjeguar  se përtej hetimit administrativ dhe penal, qeveria do të ndryshojë ligjin për t’i hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit çdo mjeku apo infermieri që përfshihet në korrupsion.

“Të gjithë ata mjekë, se nuk mund t’i quaj më as profesionistë ata që e  trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës, do  kërkojmë ndryshime në ligj, do u hiqet e drejta e ushtrimit të detyrë në rast se bëjnë sjellje amorale”, tha Koçiu.

Përballë kërkesës se opozitës për të dhënë dorëheqjen, Koçiu ka përsëritur se ministria bën politika.

“Zoti Bardhi, ke qenë dhe ministër Drejtësie. E di si funksionon shteti, më dëgjo… Flasim çdo ditë për autonominë spitalore dhe për të drejta të mjekëve, prandaj ka procedura administrative. Ju jeni jurist, e dini shumë mirë procedure”, deklaroi Koçiu.

Por sipas opozitës 3 ministra të qeverisë mbajnë përgjegjësi, pasi kishin dijeni për situatën dhe nuk reaguan.

“Në këtë qeverisje të paktën tre ministra, Koçiu, Manja dhe Manastirliu duhet të ishin shkarkuar. Kanë qenë në dijeni të skandalit të onkologjikut dhe nuk kanë reaguar”, tha Albana Vokshi.

Sipas opozitës ministrat duhet të mbajnë përgjegjësi për skandalin në spitalin onkologjik pasi kontrolli i lartë i shtetit që në vitin 2022 kishte evidentuar disa prej problematikave që sot nxori në pah hetimi i prokurorisë së Tiranës./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *