Taulant Muka, studiues në fushën e epidemiologjisë, mbrëmjen e sotme ishte i ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt. Në 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Mukaj tha se politika jonë është shkatërruese e vlerave kulturore dhe historike të Shqipërisë.
Muka: Ne gëzohemi ose bëhemi patriotë kur kemi skuadrën apo ndjekim futboll, pra kur Shqipëria luan futboll, bëhemi patriotë kur këndohet një këngë për Shqipërinë, por kur vjen puna të ruash monumentet historike, kulturore të Shqipërisë askush nuk çohet. Ne flasim për patriotizëm, ndërkohë që po të shkosh në sheshin “Skënderbej”, heroit tonë kombëtar i kemi vënë një rrotë përpara. Shko në një vend të Evropës që të fshehë heroin kombëtar.
Flasim për patriotizëm dhe qëndrojmë te heroi ynë kombëtar, ku librat e historisë së Shqipërisë nuk shkruajnë që ai është një person që ka mbrojtur krishtërimin dhe mbahet si një nga engjëjt e Evropës në kontekstin e mbrojtjes nga pushtimi Osman. Ke të bësh me një politikë që në vetvete është një politikë shkatërruese e vlerave kulturore dhe historike të Shqipërisë. Ne flasim për patriotizëm dhe për gjuhën shqipe para një jave, ndërkohë që po të shkosh te shkolla e parë shqipe, e ka humbur statusin muze. /vizionplus.tv/





