Qytetarët e Kukësit do u drejtohen nesër kutive të votimit, për të zgjedhur drejtuesin e tyre vendor.

 

Kjo e shtunë shënon heshtjen zgjedhore, ndërsa gjithçka është gati për rivotimin e ditës së diel.

 

Janë në total 45 mijë 946 qytetarë me të drejtë vote, që të dielën i drejtohen kutive të votimit në 74 qendra.

 

Ata do të kenë vetëm një fletë votimi, ku do të jenë të renditur dy kandidatët e vetëm në garë. I pari në renditje do të jetë Albert Halilaj i PS, ndërsa i dyti Emri Vata i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

 

Ditën e djeshme në Kukës kanë mbërritur materialet zgjedhore që janë transportuar nga mjetet e ushtrisë të shoqëruara nga policia e shtetit dhe janë vendosur në palestrën e shkollës 9 vjeçare “Lidhja e Prizrenit”.

 

Kukësi shkon në zgjedhje më 24 shtator, pas video-skandalit seksual ku ish-kryebashkiaku Safet Gjici shfaqet duke kryer marrëdhënie intime me Alma K. brenda në ambientet e zyrës së bashkisë. Prej 24 qershorit 2023 ai ndodhet në paraburgim dhe akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv”.

 

Safet Gjici akuzohet se gjatë kohës që ka qenë ish kryebashkiak i Kukësit favorizoi Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *