Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur mbrëmjen e së shtunës lidhur me intervistimin e tij katër ditor në Hagë, pas aktakuzave për krime lufte, ku theksoi se në në fund të procesit gjyqësor do të dalë i pastër si loti.

Thaçi deklaroi se procesi  i Speciales është në vazhdën e përbaltjes dhe akuzave ndaj UÇK-së dhe se historia e lavdishme e shtet formimit të Kosovës nuk do të rishkruhet nga askush.

 “Ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet. Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik. Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet.”

Ndër të tjera, kreu i shtetit të Kosovës është përballur me 30 orë ballafaqim dhe se për katër ditë rresht e ka kryer detyrimin e tij qytetar dhe institucional për t’u paraqitur para prokurorëve.

“Të dashurit e mi, Sonte dua të përsëris se për mua Kosova është gjithnjë e para. Nëse për Kosovën isha gati të jap jetën kur isha një djalë i ri, sot që jam një prind me thinja nuk kam fare dyshim se detyra ime është ta mbroj Kosovën, duke mos lejuar që procesi ku më kanë përfshirë mua dhe bashkëluftëtarët e mi krejt padrejtësisht, të pengojë punët e mëdha që ka përpara Kosova. Prandaj, duke ju falënderuar nga thellësia e zemrës për këtë respekt dhe solidaritet gjithëkombëtar, dua t’ju lus të gjithëve që ta vendosni Kosovën mbi dallimet politike partiake, mbi hatërmbetjet dhe pakënaqësitë e përditshme. Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë, nga rilindësit tanë, nga dëshmorët tanë, nga heronjtë tanë, nga Hasan Prishtina, Shota dhe Azemi, nga Adem Jashari, Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova, dhe qindra e mijëra të tjerë të cilët janë engjëjt mbrojtjes të kësaj toke.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *