Partia e Lirisë protestoi përreth 60 minuta para SPAK-ut në shenjë revolte kundër arrestimit të kryetarit të saj, Ilir Meta, porotesta e parë kundër Prokurorisë së Posaçme që organizohet nga një forcë politike.
Gjatë tubimit u hodhën parrulla kundër prokurorëve të SPAK-ut, të cilët sipas Partisë së Lirisë po përdoren nga qeveria kundër opozitës.
Numri dy i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta është politik dhe i paligjshëm.
“Rrëmbimi i paligjshëm dhe kriminal i bërë nga SPAK dhe narkopolicia, i Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, provoi në dritë të diellit se vetëm dhuna, arbitrariteti, antiligji, shkelja e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, janë shtyllat ku mbështetet sot aktiviteti i SPAK që qartësisht është kthyer në një revole në duar të Edi Ramës për të vrarë opozitarizmin, pluralizimin politik dhe demokracinë në vend”, tha Tedi Blushi.
Në kontrast me sjelljen e organit të akuzës ndaj opozitës, Blushi vuri në dukje se SPAK nuk ka vepruar ndaj qeverisë dhe mazhorancës socialiste.
“SPAK-u është sot bunkeri i fundit për Edi Ramën dhe Erion Veliajn, aferat e të cilëve, si në rastin e grabitjes pa maska me inceneratorin fantazmë të Tiranës, janë të provuara me mijëra dokumente, fakte e prova, por që afërmendsh Altin Dumani as guxon t’u përmendë emrin për ‘krimet intelektuale’ që vazhdojnë dhe grabisin qindra milion euro,” shtoi Blushi.
Gjatë protestës u lexua edhe një mesazh i Ilir Metës nga burgu, i cili gjithashtu akuzon SPAK-un për veprime politike ndaj tij.
Në protestë mungoi aleati i Ilir Metës, Sali Berisha, dhe asnjë prej demokratëve nuk iu bashkua tubimit të Partisë së Lirisë.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor pasi është në hetim nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë./vizionplus.tv





