Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lajmëroi nisjen e një foltoreje përpara Kryeministrisë, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të mazhorancës një ditë më parë për të ndërprerë diskutimet në Parlament e për të kaluar direkt në votim. Berisha, në një konferencë me gazetarët, vuri në dukje se, prej fillimit të legjislaturës, Partia
Socialiste ka lejuar diskutimet vetëm në një seancë, ndaj opozita do të krijojë një hapësirë të re komunikimi me qytetarët.
“Do i sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet.”
Berisha sqaroi se kjo strategji nuk do të thotë bojkot, pasi opozita do të vazhdojë betejën në Parlament.
“Kjo nuk do të thotë bojkot i Parlamentit, jo. Por kjo do të thotë se opozita do të zhvillojë betejë edhe brenda Parlamentit. Ajo ka të gjithë potencialin, të gjithë trashëgiminë, dhe kësaj dhune të pandërprerë, kësaj mbyllje goje të opozitës në Parlament, ajo do t’i përgjigjet me mjete adekuate, si në komisione, ashtu edhe në sallën e Parlamentit.”
Ndërkaq, lideri i opozitës lajmëroi se beteja kundër ligjit të barazisë gjinore nuk ka marrë fund.
“PD nuk pajtohet me këtë ligj. Ajo do të ndërmarrë të gjitha hapat kushtetues, do të rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë të mundshme dhe të nevojshme për anulimin e këtij ligji, i cili në fakt përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar, pasi rrëzon të paktën katër nene të Kushtetutës.”
Një ditë më parë, mazhoranca vendosi të mos lejojë asnjë diskutim për ligjin për barazinë gjinore dhe katër ligjet e tjera, duke kaluar direkt në votim, në shenjë proteste ndaj deklaratave të Sali Berishës për ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato.
Prej paraqitjes së këtij ligji, Partia Demokratike është pozicionuar kundër, pasi sipas saj, ai i hap rrugë gjinive të tjera, përveç burrë dhe grua, dhe dëmton familjen e shoqërinë shqiptare.
/vizionplus.tv





