Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizituan sot parkun eolik të Tropojës, një nga projektet më të rëndësishme në sektorin e energjisë së rinovueshme në vend.
Gjatë vizitës, Balluku theksoi se ky projekt përfaqëson më shumë se një investim energjetik. “Parku eolik i Tropojës nuk është vetëm një investim energjik, por është dëshmi e transformimit që po merr Shqipëria. Sektori energjetik shqiptar po kalon në një fazë të re,” u shpreh ajo.
Zëvendëskryeministrja nënvizoi se vendi po shkëputet nga varësia energjetike dhe po ndërton një ekonomi të qëndrueshme. “Shqipëria tashmë nuk është më e varur energjetikisht. Po shkojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme, ku tranzicioni energjetik nuk është më një ide apo premtim, por një realitet që po merr formë çdo ditë,” deklaroi Balluku.
Ajo bëri të ditur se investimet e huaja janë një tregues i besimit strategjik ndaj Shqipërisë. “Sot kemi rreth 1.5 miliardë euro investime private në proces, ndërsa gjatë viteve të fundit janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private të përqendruara në burime të rinovueshme,” tha Balluku.
Sipas saj, Shqipëria ka kaluar nga projekte pilot në impiante të mëdha të energjisë diellore dhe po hyn për herë të parë në fazën e realizimit konkret të projekteve të energjisë së erës. “Në energjinë e erës, Shqipëria po hyn në fazën e zbatimit të projekteve konkrete, për herë të parë,” theksoi ajo.
Balluku vuri në dukje se parqet eolike kërkojnë studime të gjata dhe të detajuara, por ndikimi i tyre është i madh. “Janë projekte që kërkojnë të paktën 12 muaj studim, por kanë impakt të jashtëzakonshëm në energji dhe, si rrjedhojë, në ekonominë e vendit,” u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, Balluku garantoi mbështetjen e qeverisë për investitorët dhe projektet e reja energjetike. “Nuk po flasim më për plane në letër, por për projekte që funksionojnë në terren. Ne po ndërtojmë themelet e një sistemi energjitik që do t’i shërbejë dekadave që vijnë,” tha ajo, duke falënderuar kompaninë SWP dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, për mbështetjen dhe investimet në sektorin e energjisë.
Sipas Ballukut, projektet si parku eolik i Tropojës janë prova se Shqipëria ka kaluar nga faza e premtimeve në atë të rezultateve konkrete dhe se vendi është i hapur për investime serioze dhe partneritete strategjike drejt një të ardhmeje energjetike të qëndrueshme dhe europiane.
/vizionplus.tv





