Të gjitha pagesat që nuk janë kryer ende, të lidhura me bonusin për individët që përfitojnë ndihmë ekonomike apo me subvencionet për bujqësinë, do të mbyllen deri më 26 janar, që është edhe afati i fundit për pagesat që kryhen nga buxheti i vitit të kaluar.
“Rialokimet kryesore janë mbështetjet sociale me efekt financiar. Bonusi për ndihmën ekonomike, dy ditë më parë, ishte realizuar në 98%, ndërsa për personat me aftësi të kufizuar në 99%. Nga Thesari po vijon kalimi i fondeve deri më 26 janar”, tha Petrit Malaj, Ministër i Financave.
Për sa i përket fondeve të papërdorura nga ministritë, përmes aktit normativ të fundit të miratuar në dhjetor, këto fonde do të rialokohen dhe do të përdoren për mbështetjen e rritjes së pensioneve në vitin aktual.
“Akti normativ adreson nevojën për mbështetje të shtresave në nevojë ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar, si dhe garantimin e fondeve për skemën e pensioneve. Nëpërmjet këtij akti, të gjitha fondet e papërdorura do të kalojnë për skemën e pensioneve dhe do të ketë një rialokim të fondeve për mbulimin e deficitit”, u shpreh Malaj.
Edhe pse pritej të kishte një qëndrim specifik për rimbursimin e fermerëve që pësuan dëme të konsiderueshme nga zjarret e vitit të kaluar, ministri Malaj u shpreh se ende nuk është dorëzuar asnjë njoftim nga Ministria e Bujqësisë lidhur me këtë çështje.
/vizionplus.tv





