Subscribe

Një atentat mafioz u parandalua nga Policia e Lezhës këtë të mërkurë.

 

Operacioni i koduar me emrin “Mataro” u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, ndërsa u arrestuan tre persona dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.

 

Në pranga përfunduan Mark Lamkja 27 vjeç, i dënuar më parë në Itali, për “Vrasje te mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, si dhe çifti i bashkëshortëve Nikoll dhe Marie Marku, të moshës 62 dhe 60 vjeç.

 

Policia shpalli në kërkim dy persona të tjerë që dyshohet se do të kryenin krimin: Edmir Vlashi 31-vjeç dhe bashkëmoshatarin e tij, Hektor Ndoka. Të dy me precedentë të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri ta lartë shoqërore.

 

Ekzekutimi, sipas policisë, do të kryhej në Tiranë. Nga hetimet paraprake rezulton se Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka për shkak të konflikteve që kanë jashtë vendit per pazaret e drogës, kishin planifikuar të vrisnin rivalët e tyre në radhët e grupeve të tjera kriminale. Atentati do të kryhej duke përdorur mina me telekomandë.

 

Si bazë për fshehjen e armatimit por dhe të ardhurave të siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, ata kishin përdorur banesën dhe restorantin e çiftit të bashkëshorëve Nikoll dhe Marie Marku. Dhëndri të cilëve, 27-vjeçari Mark Lamkja mendohet se bashkëpunonte po ashtu me këtë grup.

 

Kjo pasi gjatë aksionit, i riu u përpoq të fshihte provat ndërsa u kap me një armë zjarri tip pistoletë. Por policia zbuloi dhe sekuestroi edhe arme e paisje të tjera.

 

 

Nga kontrolli i ushtruar në banesat dhe mjetet e të dyshuarve, janë gjetur 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë;  88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëva narkotike dhe krimeve ndaj personit; 2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.

 

Armët e sekuestruara, do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, pasi dyshohet se mund të jenë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *