Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndaj sulmeve izraelite në Gaza do të mundësojë një shpërthim të pakontrolluar në Lindjes e Mesme, sipas Iranit. Ministri i jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian deklaroi se Lindja e Mesme është në prag të luftës, kjo për shkak të mbështetjes që Shtëpia e Bardhë po i ofron Izraelit.

“Për sa kohë që Amerika mbështet krimet e regjimit sionist dhe vazhdimin e luftës ekziston mundësia e një shpërthimi të pakontrolluar të situatës në rajon ”, tha ministri i jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian.

 

Kjo deklaratë e tij erdhi gjatë një telefonatë me  Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Ky komunikim u zhvillua ndërsa SHBA, vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit që bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” në Gaza.

 

Rezoluta, e cila mori 13 vota pro, një kundër dhe një abstenim u hartua nga Emiratet e Bashkuara Arabe pas thirrjes së paprecedentë të Antonio Guterres ndaj nenit 99 të Kartës së OKB-së, i cili e lejon atë të tërheqë vëmendjen e Këshillit të Sigurimit për një çështje e cila mund të rrezikojë ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Përdorimi i nenit 99 është një veprim i guximshëm nga ana juaj për të ruajtur paqen dhe mbështetet nga opinioni publik botëror,” i tha Amir-Abdollahian Guterres.

 

Mbretëria e Bashkuar abstenoi ndaj kësaj rezolute, teksa SHBA ishte e vetmja që e rrëzoi.

 

Për ministrin iranian, pretendimi i izraelitëve se Hamasi është ai që shkeli armëpushimin, që përfundoi më 1 dhjetor, është krejtësisht i rremë”./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *