Në Tiranë u zhvillua panairi “Tirana AgroFair”, një event që mblodhi fermerë nga e gjithë Shqipëria dhe biznese të ndryshme, për të prezantuar produktet e tyre.
Kryetari i Bashkisë Veliaj, gjatë vizitës në panair, theksoi rëndësinë e mbështetjes së bizneseve të vogla dhe familjare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të blejnë produkte lokale.
“Ftesa është të blini produkte lokale, ndihmoni bizneset e vogla, ndihmoni bizneset familjare. Kush blen pak kafe, rakinë dhe verën, ose pak ushqime, nuk ka bërë vetëm shtrimin e tavolinës, ka ndihmuar edhe një vajzë të vogël që të blejë librat e shkollës, ka ndihmuar edhe një djalë të vogël që të blejë këpucët e para të futbollit”, tha Veliaj.
Veliaj njoftoi edhe operacionin e zhvendosjes së pishave nga autostrada për zgjerimin e korsisë.
“Kemi një operacion shumë të madh, që fillon sot dhe do të zgjasë disa ditë. Të gjithë pishat që hiqen nga autostrada për zgjerimin e korsisë do të mbillen në parkun e Liqenit të Tiranës, Farkës dhe të Prushit”, tha Veliaj.
Veliaj siguroi qytetarët se asgjë nuk do të shkojë dëm dhe se të gjithë duhet të mbështesin njëri tjetrin për të ecur përpara.