Për Edi Ramën të gjithë ata që e akuzojnë se po bashkëpunon me Sali Berishën janë idiotë të dobishëm. Në platformën “X” kryeministri shkruan se nuk ekziston asnjë pazar me “non gratën” përkundrazi shumica socialiste i qëndron vendimit për t’i thënë po çdo kërkese për komision hetimor nga opozita, mjafton që ato të bëhet sipas ligjit të ri për ngritjen dhe funksionimin e “hetimorëve”.
“Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize! Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetëra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro!”, shprehet Rama.
Lexo edhe :
Related Posts
24 orë nga rënia dakord në parim mes PS dhe “Rithemelimit” për ngritjen e dy komisioneve hetimore për ndërhyrjet e dyshuara në TIMS dhe kontratat korruptive koncesionare në shëndetësi, Edi Rama thotë se as qeveria dhe as parlamenti nuk mund të bëhen pengesë që demokratët protestues t’i rikthehen normalitetit.
“Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston? Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?! Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë”, shkruan Rama.
Reagimi i Edi Ramës në “X” përkoi edhe me shtyrjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Pas marrëveshjes në parim të arritur një ditë më parë, e mërkura do të “vuloste” ngritjen e dy komisioneve hetimore. Burime nga shumica socialiste për Vizion Plus thanë se diskutimet vazhdojnë dhe se kërkohet më shumë kohë. Pika për të cilën nuk është gjetur konsensusi është objekti për dy “hetimorët”. Në fakt ai është edhe një nga arsyet që “Rithemelimi” e çoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore, që u ndryshua dhe u votua vetëm nga socialistët në dhjetorin e vitit të kaluar. Dhe deri në përcaktimin e fatit të “hetimorëve” të kërkuar nga “Rithemelimi”, Edi Rama u thotë kundërshtarëve se partia që ai drejton është gjithnjë tre hapa para. /vizionplus.tv







