Pakti detar Shqipëri-Greqi, në duart e dy zv.ministrave

Zëvendësministri i Jashtëm Gent Cakaj u takua këtë të premte në Bukuresht me homologun e tij grek, ministrin plotësues të Jashtëm Jorgos Katrugalus. Biseda mes tyre u zhvillua pas përfundimit të takimit informal dy ditor të kryediplomatëve të BE si dhe vendeve kandidate, në Bukuresht.
Takimi Cakaj – Katrugalos vjen në kohën kur diskutimet për paketën e marrëveshjeve mes dy vendeve, kanë mbetur pezull, pas largimit të Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushatit.
Por takimi i organizuar nga presidenca rumune e BE i shërbeu Cakajt të bënte edhe prezantimin e tij të parë në një nivel kaq të lartë, me statusin e kryediplomatit fuqiplotë.
9 ditë pasi Edi Rama i delegoi të gjitha kompetencat si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj kaloi në tapetin e kuq, ndërsa emocionet dhe përgjegjësia që kishte mbi supe, dalloheshin në portretin e tij.
Pas hyrjes në “klubin e diplomacisë europiane” ai, u prezantua për herë të parë edhe me Federica Mogherinin si dhe Ministrin e Jashtëm të Rumanise.
Edhe gjatë fotos familjare, Cakaj theu akullin përmes bisedave te shkurtra me ministrin hungarez e të tjerë. Zvministri i jashtëm shfrytëzoi takimin per tu prezantuar me Ministrat e tjerë të Jashtëm, madje duke u shprëndarë dhe kartvizitat e tij.
Ndërkohë, takimi dy ditor informal diskutoi situatën në ballkanin perëndimor, por u ndal vecanërisht tek situata në Venezuelë, ku u dha mesazhi i qartë se unioni mbështet presidentin e vetëshpallur Huan Guaido.




