Sezoni i vjeljes së ullirit pritet të nisë me sfida për fermerët e Vlorës. Pas një pranvere me kushte të papërshtatshme atmosferike, kultivuesit paralajmërojnë se prodhimi këtë vit do të jetë më i ulët se mesatarja.
Sipas fermerit Nuredin Bendaj ullinjtë u dëmtuan në periudhën e lulëzimit. Ai rendit dhe vështirësi të tjera që lidhen me mungesën e plehut organik dhe fuqisë punëtore, që nga viti në vit bëhet më e vështirë për t’u siguruar. Si rrjedhojë përballë rendimentit të kufizuar, pritet që çmimi i vajit të ullirit të shënojë rritje.
Fermeri shpjegon se kjo ulje e prodhimit lidhet jo vetëm me kushtet klimatike, por edhe me ciklin natyror të ullirit, i cili nuk jep çdo vit rendiment të lartë.
Sipas tij, shërbimet në plantacione mbeten të domosdoshme për të siguruar prodhim më të mirë në vitet e ardhshme.
Në këto kushte, pritshmëritë për një sezon të vështirë i shtojnë edhe më shumë shqetësimet e fermerëve ,të cilët duke kërkuar mbështetje për të përballuar sfidat, paralajmërojnë rritjen e çmimit të vajit në treg.
/vizionplus.tv





