Subscribe

67 numërues do të kallëzohen penalisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ata dyshohen për tjetërsim të votës në parlamentaret e 25 Prillit.

 

Të kallëzuarit i përkasin si numëruesve të Partisë Socialiste edhe asaj Demokratike në gjashtë qarqeve të vendit ku numri më i lartë është nga ai i Tiranës, me 22 raste.

 

Me drejtësinë për krimet zgjedhore do të përballen edhe 20 komisionerë të cilët ishin të ngarkuar për të administruar pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve.

 

Nga të dhënat që gjeneruan nga pajisjet PEI rezultoi se gjurma e gishtit të këtyre komisionerëve është vendosur më shumë se një herë, që jo domosdoshmërisht do të thotë se kemi të bëjmë me votim të shumëfishtë.

 

 

Për 32 sekretarët që janë treguar të parregullt në administrimin e materialeve zgjedhore, do të jetë Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve që do t’i ndëshkojë administrativisht.

 

 

Në ndihmë të organit të akuzës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i çojë si prova materialet video nga qendrat e votimit e numërimit dhe të dhënat e dala nga pajisjet e identifikimit elektronik.

 

Numëruesit dhe komisionerët të cilët do të kallëzohen penalisht u identifikuan pas hapjes së 10 për qind të kutive të votimit, proces i cili u krye për herë të parë pas parlamentareve të Prillit.

 

Duke iu referuar të dhënave se nga ri-numërimi i 519 kutive, 67 numërues do të kallëzohen penalisht, numri i atyre që mund të kenë kryer një krim zgjedhor duhet të jetë shumë më i lartë, nëse do të ri-numëroheshin më shumë se 10 për qind e kutive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *