Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se mercenarët e grupit rus, Wagner, po punojnë me paramilitarët serbë për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake pa stema në Kosovë.

Në një intervistë për The Telegraph, Osmani tha se ky operacion ka për synim të krijojë terrenin për një sulm të mundshëm hibrid të Serbisë për të marrë nën kontroll territor të Kosovës.

Këto përgatitje të pretenduara nga Serbia ngrenë paralele me aneksimin e Krimesë nga Rusia më 2014, kur ushtarët rusë, të veshur me uniforma pa stema, përgatitën rrugën për marrjen e gadishullit ukrainas nga Moska.

“Ata po sjellin armë dhe uniforma, por nuk janë pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj, pa e quajtur operacion ushtarak”, tha Osmani, duke mos ofruar dëshmi për këto pretendime.

Sipas saj, objektivi i Serbisë është “të përgatisë situatën për një aneksim të mundshëm – jo përmes një operacioni tradicional ushtarak, por përmes një lloj sulmi hibrid”.

Vitin e kaluar, tensionet u rritën midis Kosovës dhe Serbisë për shkak të targave të makinave, duke nxitur disa serbë lokalë që për 20 ditë të bllokonin rrugët e veriut të banuar me shumicë serbe.

Situata u përkeqësua në dhjetorin e kaluar, kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që të lejonte dërgimin e trupave serbe brenda Kosovës.

Sipas Osmanit, Beogradi po vazhdon të rrisë tensionet në rajon në bashkëpunim me Wagner-in, që kohët e fundit ka nisur fushatën për rekrutimin e serbëve për luftën në Ukrainë.

Presidentja e Kosovës tha se strategjia e fshehur për kontrabandimin e armëve dhe municioneve është duke u zhvilluar në të paktën gjashtë muajt e fundit. Sipas Osmanit, kjo strategji ka synimin “e njëjtë” me atë që përdori presidenti rus, Vladimir Putin, kur aneksoi paligjshëm Krimenë.

“Nëse shikoni se çfarë bëri Putini më 2014, është krejtësisht e njëjta. Fillimisht, ai instrumentalizoi rusët që jetonin atje, mandej ai krijoi operacione të rreme dhe më pas ai dërgoi këto grupe paramilitare. Ka të dhëna të qarta se grupet paramilitare serbe po planifikojnë dhe organizojnë këtë [së bashku me Wagner-in]. Sa ka qenë numri i tyre që ishin në kufi apo brenda [territorit të Kosovës], është diçka që ende po hetohet”, tha presidentja Osmani.

Sipas të parës së shtetit të Kosovës, synimet janë krejtësisht agresive.

“Ata hapin llogore dhe barrikada të stilit ushtarak, të llojeve që mund të përdoren për të luftuar”, tha ajo.

Osmani tha se pavarësisht pranisë ushtarake të NATO-s në Kosovë – përmes misionit të KFOR-it – nuk do të thotë se Serbia nuk do të tentojë të veprojë sikurse Rusia, që nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

“Nuk po them se ai [presidenti serb, Aleksandar Vuçiq]do ta bëjë, por po them se duhet të jemi të gatshëm që ta parandalojmë një skenarë të tillë”.

Zyrtarët e Kosovës edhe më herët kanë thënë se në veri të Kosovës mund të ketë përfshirje të personave që kanë lidhje direkte apo indirekte me mercenarët e Wagner-it. Kosova po ashtu ka akuzuar Rusinë se po e nxit Serbinë që të rrisë tensionet me Kosovën. Moska ka mohuar këto akuza të Prishtinës./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *