Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani i bëri të qartë të dërguarit të Brukselit për dialogun, se sovraniteti i vendit nuk do të jetë më në tryezën e bisedimeve, Serbia duhet të respektojë marrëveshjet e arritura dhe të kërkojë falje për krimet e kryera.

Në takimin me Miroslav Lajçak mëngjesin e kësaj të marte, kryetarja e shtetit gjithashtu nënvizoi se dialogu me fqinjin verior duhet të ripërtërihet.

 

VJOSA OSMANI

PRESIDENTE NE DETYRE, KOSOVE

 

“Nuk do të lejojmë që integriteti territorial të bëhet pjesë e dialogut, apo që rregullimi ynë kushtetues dhe sovraniteti i vendit të bëhet pjesë e këtij procesi sepse Kosova e ka mbyllur këtë kapitull ën 17 shkurt të vitit 2008 dhe presim që të përfundojë me njohje reciproke. Presim që të ketë koordinim mes BE-së dhe SHBA. Është koha që në Bruksel dhe kudo të kërkohet përgjegjësi nga Serbia për krimet e kryera dhe të kërkohet drejtësi për të gjitha viktimat. Kërkesa jonë për drejtësi do të jetë themelore. Ne presim që dialogu të jetë midis dy palëve të barabarta.”

 

Ndërkohë, Miroslav Lajçak ka deklaruar se nuk do ta përshpejtojë procesin e dialogut por nëse ka vullnet mes palëve, kjo çështje mund të mbyllet brenda pak muajve, raporton Vizion Plus.

 

MIROSLAV LAJCAK

I DERGUARI I BE PER DIALOGUN

“Nuk do të ngutemi, i takon Kosovës dhe Serbisë që të vendosin sa shpejt duan të vazhdojnë. Nëse duan të takohen në baza javore apo mujore, ne do ta mundësojmë këtë.  Nuk presim të zgjasë 5 apo 3 vjet nëse ka vullnet për këtë proces. Dua të theksoj gjithashtu se partneriteti me SHBA nën administratën Biden tashmë është më i afërt se kurrë dhe do të punojmë në mënyrë të koordinuar.”

 

I dërguari i BE-së për dialogun, gjatë vizitës tre ditore në Prishtinë do të vijojë takimet me të gjithë përfaqësuesit politikë në vend duke theksuar nevojën për unitet në procesin e bisedimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *