Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e justifikoi pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri, me atmosferën “e frikësimit dhe shantazhit”.

 

“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.

 

Ndërkohe presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar organizimin e zgjedhjeve pasi sipas saj  grupet kriminale te drejtuara nga Serbia nuk mund ti diktojne proceset kushtetuese ne Kosove.

 

“Institucionet e Kosovës u mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës”

 

Sipas saj ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike e cila cenon  parimin e barazisë sovrane të shteteve.

 

“Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues”.

 

Ambasada Amerikane shprehu keqardhje, që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën demokratike për të marr pjesë në garë. Ndërsa Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se zgjedhjet  në veri nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna dhe sipas BE-së, kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve në institucione. Sipas BE-së  formimi i asociacionit  të komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *