Një operacion i policisë së Elbasanit ka çuar në prangosjen e tre personave (organizatori i 2 veprimtarive kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij).
Në kuadër të operacionit “Organizatori”, policia arrestoi shtetasin Dh. P., 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt RMV-së dhe falsifikimin e dokumenteve.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe A. L., 47 vjeç, banues në Elbasan.
Nga hetimet rezulton se 52-vjeçari, bashkëpunonte me 59-vjeçarin për trafikimin e armëve, ndërsa 47-vjeçari bashkëpunonte me 59-vjeçarin, për falsifikimin e dokumenteve.
Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit, u gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase) dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit “Organizatori”, në fshatin, Çekin, Gramsh, shërbimet e Policisë iu bënë shenjë ndalimi automjeteve që drejtoheshin nga shtetasit Dh. P. dhe E. C. Nga kontrollet, u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Më tej, gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Dh. P., në bashkëpunim me shtetasin A. L., falsifikonin në banesën e këtij të fundit, dokumente të ndryshme (pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish), shqiptare dhe të huaja.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale./vizionplus.tv





