Subscribe

Opozita do të godasë marrëveshjen për portin e ri të Durrësit  në Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK. Nënkryetari i Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha, Oerd Bylykbashi, deklaroi se marrëveshja për ndërtimin e portit të jahteve në Durrës dëmton interesin e Shqipërisë, duke e lënë atë pa portin kryesor të vendit, duke dëmtuar interesin e qytetarëve të Durrësit, duke shkelur marrëveshjen e stabilizim asocimit dhe Kushtetutën e Shqipërisë e duke dhënë një pasuri publike pa garë një investitori privat.

“PD ka përgatitur padinë e dytë për në Gjykatën Kushtetuese, me firmat e deputetëve të opozitës, për ta sfiduar sërish këtë çështje për shkeljet e rënda kushtetuese që janë bërë. Gjithashtu do bëjmë kallëzim penal në SPAK për këtë aferë. Personat përgjegjës duke filluar nga kryeministri Edi Rama, duhet të mbajnë përgjegjësi për një veprim që qartazi, me një sekuencë po aq kriminale aktesh të miratuara nga qeveria, janë bërë aty për të veshur me një veshje juridike një marrëdhënie personale private korruptive mes Edi Ramës dhe një investitor privat arab”,  tha Bylykbashi.

Ekspertët e Partisë Demokratike kanë argumentuar se shteti shqiptar i ka dhënë një investitori privat një sipërfaqe prej 80 ha që sot vlen 500 milionë euro, e ka përjashtuar nga taksat të cilat shkojnë në 230 milionë euro dhe e gjithë kjo që Muhamed Al Abar të ndërtojë 13 mijë apartamente dhe hotele me kapacitet 850 dhoma. Për më tepër sipas Bylykbashit, shteti shqiptar duhet të investojë miliarda për të ndërtuar një port të ri dhe në një llogaritje që ka bërë PD Shqipëria pas këtij investimi humbet 1.4 miliardë euro.

“Ajo që ne synojmë jo vetëm të shpëtojmë Portin e Durrësit, por t’i vëmë fre të njëjtit mekanizëm grabitqar korruptiv që rrezikon të prekë edhe Vlorën, Ksamilin dhe Sarandën. Nëse Gjykata Kushtetuese dhe SPAK do bëjnë detyrën, është e mundur që këto asete të mbrohen”,  u shpreh ai.

Nga Gjykata Kushtetuese opozita kërkon shfuqizimin e marrëveshjes, ndërkohë që nga Spaku PD kërkon hetimin e kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe shpërdorim detyre. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *