Për të disatën ditë rradhazi, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës kanë dalë para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar zhbllokimin e situatës politike dhe thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit.
Në aksionin e tyre janë bashkuar edhe anëtarë të këshillit komunal të Prishtinës, përfaqësues të PDK, të cilët e akuzojnë qeverinë për bllokimin e institucioneve.
“Ne e dimë që institucionet nuk po funksionojnë, vendi është paralizuar dhe të gjitha këto probleme qytetare vetëm po vijnë duke u grumbulluar”, tha
Yll Muriqi, asamblist PDK.
Deputetë të PDK e cilësuan situatën si një krizë të shumëfishtë, duke përmendur krizën kushtetuese, politike dhe ekonomike.
“Jemi në një krizë kushtetuese më të thellën që nga historia e Kosovës, jemi në një krizë politike më të thellën që nga paslufta në Republikën e Kosovës, jemi në një krizë ekonomike, në një krizë edhe me aleatët tanë”, tha Artan Behrami, deputet i PDK-së.
Ndërsa për Aleancën, aksionet para Qeverisë kanë për qëllim të tërheqin vëmendjen e opinionit publik.
“Po dalim çdo ditë këtu në aksione simbolike për të marrë vëmendje dhe për të kërkuar që t’i kthehemi institucioneve, që t’i kthehemi kushtetutshmërisë”, tha Time Kadrijaj, deputete e AAK-së.
Një ditë më parë kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh optimist se situata mund të zgjidhet edhe pse e cilësoi të vështirë.





