Komisioni Evropian u ngrit mbi veten, i la dyshimet mënjanë, edhe ato të justifikuara dhe do t’i hapë Ukrainës derën për një anëtarësim të mëvonshëm. Në situatën aktuale kjo është e vetmja gjë e duhur, ai vepron politikisht, tregon përgjegjësinë europiane dhe nuk i ikën një pozicionimi të qartë.Që do të thotë: ne e duam Ukrainën pjesë të bashkësisë sonë.
Brukseli dërgon me rekomandimin një sinjal të qartë në drejtim të Moskës, dhe një mesazh haptas kundër revizionizmit historik të Putinit. Lordi i luftës ia heq të drejtën e ekzistencës Ukrainës si shtet dhe dëshiron ta bëjë atë pjesë të një perandorie të madhe fantaste. Nëse BE nuk do ta hapte derën, për sunduesin në Kremlin ky do të ishte një triumf sipas devizës: Shikoni, perëndimi nuk ju do. E për këtë arsye ju jeni pjesë e jona.
Edhe më i rëndësishëm sinjali është për Kievin
Parë nga ana gjeopolitike, me vështrim nga e ardhmja e Europës, dhe një rendi botëror pak a shumë të bazuar në rregulla, KE nuk mund të vendoste ndryshe. Mbetet të shpresohet, se grindjet e disa vendeve anëtare nuk e shkatërrojnë imazhin e unitetit. Deri në samitin pas një jave, Austria ka kohë të verifikojë prioritetet e saj dhe të lerë mënjanë dyshimet bazë për anëtarësime të tjera. Frika për kostot e efekte të tjera këtë moment duhet të kalojë në rang të dytë.
Në këtë situatë të rëndë, Ukraina dhe qytetarët e saj kanë nevojë për çfarëdolloj mbështetjeje. Këtu bëjnë pjesë armët, fondet, ndihma humanitare dhe mbështetja politike. Ftesa për në BE është sinjali më i rëndësishëm për njerëzit që luftojnë. Në luftimet në Maidan në dimrin 2013/2014 demonstruesit u mbuluan me flamuj blu të BE kundër qeverisë proruse të atëhershme. Shpresa për të hyrë në Europë, edhe pse është një rrugë e gjatë është motivim për shumë nga ata që i dalin ballë fushatës shkatërruese të Putinit që prej më shumë se tre muaj.
Edhe për presidentin Zelensky ky është një sinjal i rëndësishëm nga Brukseli. Ai u ka premtuar shumë qytetarëve të tij, dhe ata duhet të durojnë shumë duke kaluar nëpër udhën e përgjakshme dhe me lotë. Të paktën ai mund t’u ofrojë këtë, premtimin për një perspektivë të vërtetë europiane. Gjithçka tjetër do të kishte qenë katastrofë politike.
Ende ka kohë për reforma të brendshme
Sinjalet që dalin prej rekomandimit të Komisionit, duhet fillimisht të merren seriozisht brenda BE. Në komentet ndërkombëtare, që lëvdojnë vendimin e Brukselit, reformat e nevojshme të BE përmenden vetëm shkarazi. Por pikërisht këtu qëndron problemi në procesin e reformimit të shtyrë prej kohësh. BE nuk është në gjendje të pranojë Ukrainën ashtu si është e formësuar tani. Shumë procese vendimarrjeje janë bllokuar, prandaj duhet që më në fund të hiqet koncepti i vendimit unanim në çështje pafund. Kjo është urgjente, sepse pikërisht tani dështoi një direktivë për një tatim minimal të koncerneve ndërkombëtare, këtë herë për shkak të pretendimit hungarez.
Emmanuel Macron si reformator?
Pa marrë parasysh që bllokuesit, antidemokratit dhe mikut të Putinit, Viktor Orban duhej që t’i hiqej e drejta e votës dhe të kalohej në bankinën e rezervës, edhe qeveria në Poloni duhet të mendohet, kush dhe çfarë do të jetë: Shantazhuese në këshillat ministerialë të BE apo luftëtare për mbështetjen e Ukrainës dhe anëtarësimit të mëvonshëm të saj.
Një nga figurat e njohura në BE duhet tani të marrë në dorë procesin e vonuar të reformimit. Për fat të keq Berlini duket në këtë pikë sikur është përshëndetur, mbetet vetëm presidenti francez. Nëse Emmanuel Macron nuk duhet të luftojë në politikën e brendshme, mundet që një pjesë të angazhimit të tij t’ia kushtojë reformimit të brendshëm të Europës. Ai e di më mirë se çdokush tjetër: Europa nuk mund të mbetet kështu siç është, nëse do të ketë një të ardhme, për disa vite edhe me Ukrainën./DW