Ndarja nga jeta e mjekut Drini Dobi ka prekur kreun e Urgjencës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj. Ai bëri një dedikim prekës për të, ku tregoi se vitet e fakultetit i kanë kaluar bashkë.

 

“O sa trishtim, o sa na lëndove Drini, o sa shpresuam të të shpëtonim! Kjo flamë të mundi, ty njeriun e pa përtuar, të mori se i duhesh edhe atje lart. Ti që ato vite të vështira të fakultetit i kaloje në sallën e leksioneve deri në mesnatë duke studiuar, ti që student mbete gjithë jetën, ti që ishte nga më të mirët e neurologëve në Shqipëri dhe në botë, ike kështu pa pritur, kaq i ri, pa zhurmë e bujë.”

 

Po ashtu, Brataj rrëfeu se kur kaloi koronavirusin në pranverë, mjeku Drini Dobi i ka qëndruar shumë pranë.

 

“Ti njeri i punës , i familjes dhe shoqërisë. Ti që u merakose aq shumë për bashkëshorten tënde kur u sëmur,  i ndejte pranë derisa u shërua. Ti që më telefonoje  ato ditë të tmerrshme marsi kur unë u sëmura dhe më jepje kurajo dhe këshilla mjeksore, më jepje besim dhe ishe i gatshëm për çdo ndihmë. Mik, shok, koleg, është  hera e parë që për ty nuk kam fjalë! Është hera e parë që për ty kam vetëm lot që nuk do të doja ti kisha kurrë! Na mbro nga aty lart, se thonë që zoti më të mirët i do për vete! Lamtumirë!”

 

Drini Dobi kishte disa ditë i sëmurë dhe për shkak të gjendjes së rëndë, u dërgua për kurim në Itali me mbështetje të qeverisë shqiptare. Por kujdesi mjekësor që mori nuk mjaftoi që ai ta fitonte betejën me COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *