Subscribe

Maturantët e këtij viti u vlerësuan me notën mesatare 7.34 në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, ndërsa 444 prej tyre nuk mundën të kalojnë. Në krahasim me një vit më parë, rezultati ka njohur përmirësim ,por mësuesit e lëndës dhe ekspertët e arsimit tërheqin vëmendjen mbi rëndësinë e të lexuarit.

Oriana Osmani, mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” shprehet se përgjegjësia në këtë pikë nuk duhet lënë vetëm te nxënësit, por edhe te puna e mësuesit.

 

ORIANA OSMANI

MESUESE, “PETRO NINI LUARASI”

 

“Në të gjitha analizat që ne kemi bërë brenda këtyre 5 viteve, problemi kryesor ka qenë pikërisht të lexuarit dhe e kemi parë si një sfidë brenda ekipit tonë lëndor për të bërë aktivitete që ndikojnë në këtë drejtim. Mësuesi duhet të përzgjedhë ato pika apo elemente që e intrigojnë nxënësin.”

 

Në rreth 30 mijë maturantë, vetëm 15 prej tyre u vlerësuan me notën 10 absolute. Ekspertët thonë se rezultati mund të ishte edhe më i mirë nëse marrim në konsideratë faktin që teza ishte e nivelit mesatar, por pandemia e koronavirusit ka lënë efekte afatgjata.

 

SANIE KORINI

EKSPERTE ARSIMI

 

“Kjo është matura që klasën e 10-të dhe gjysmën e klasës së 11-të e kanë kaluar në periudhën e pandemisë me mësimin online. Ne këtë problematikë do ta ndiejmë edhe në vitet e ardhshme. Ajo që unë do të theksoja dhe mendoj se është shumë thelbësore është mungesa e përgatitjes së vazhdueshme të të rinjve tanë në raport me librin dhe të lexuarin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *