Kryeministri Haradinaj rrefeu në një intervistë per gazetarin e Vizion Plus Thimi Samarxhiu qëndrimet e tij për shumë cështje të nxehta me të cilat përballet sot Kosova.

 

Më poshtë një pjesë e përgjigjeve të Haradinajt në lidhje me bisedat në Samitin e Berlinit me Macron dhe Merkel për taksën e mallrave serbe. Ai e konsideroi një fitore për Kosovën faktin që Mogherini nuk do të ketë më rol parësor në bisedimet me Serbinë.

 

Gazetari: Cili ishte qëndrimi i kancelares Merkel dhe Macron për taksën?

 

Haradinaj: Ata kërkuan një kontribut nga pala e Kosovës për pezullimin e taksës për një kohë të caktuar për vazhdimin e dialogut. Këtë nuk munda ta pranoj sepse nuk kam si ta bëj, sepse ky është kusht i Serbisë. Nuk mund të pranoj kushte prej Serbisë, kur ne jemi vend viktimë.  Ata tani po i mohojnë edhe krimet që kanë bërë. Nuk guxoj të tërhiqem në këtë drejtim.

 

Gazetari: Lidhur me tezën e korrigjimit të kufijve, çfarë thanë liderët e Europës?

 

Haradinaj: Atë që Mogherini nuk e ka më në dorë këtë proces. Procesi ka kaluar në përgjegjësi të dyshes, presidentit Macron dhe Kancelares Merkel. Ky është shpëtim për ne, garanci që nuk do të befasohemi me ndonjë propozim marrëveshje të gabuar. Ka edhe qëndrime të ndryshme. Gjermania ka qenë konsistente e qëndrueshme që s’ka ndryshim të kufijve. Por kanë qenë edhe liderët rajonal të shqetësuar nga mundësitë e destabilizimit të rajonit në rast se nuk respektohen kufijtë.

 

Gazetari: Si e shpjegoni ndryshimin e qëndrimit të përfaqësueses së lartë të BE-së?

 

Haradinaj: Unë kam pasur një mospëputhje. Nuk jam pajtuar me mënyrën si ka shkuar procesi i dialogut nën udhëheqjen e saj. Këtë e kam thënë gjithmonë dhe kam kërkuar realisht një situatë të re, qoftë edhe një samit. Jam shumë i kenaqur që kompetenca kaq serioze i janë hequr.

 

Gazetari: Pse ndryshoi kjo qasje nga Mogherini?

 

Ka dyshime të bazuara  që është folur për skenarë të ndarjes së Kosovës si formë e kompensimit politik e territorial të Serbisë në shkëmbim të njohjes. Kjo do të ishte një përulësi e paparë, do të ishte përulur përjetësisht ccdo brez i yni. Pse duhet të vazhdojë më tej një taktike e tille? Pse duhet të jemi ne gjithmonë të përulur? Cdo herë kemi dhënë ose këtë ose atë. Ka ndryshuar kjo. Unë s’mund të krahasohem me Adem Jasharin, unë i takoj këtij brezi. Pse duhet të jem unë kokëulur? Nëse unë kam qenë në gjendje të qëndroj përball Milloshevicit, përball gjithë asaj masonerie, nëse gjysma jonë është detyruar të vijë tek ju, faleminderit për kujdesin, por pse tani duhet të jemi kokëulur, pra pse duhet të pranojmë kushte dhe të japim territor?!

 

Thimi Samarxhiu-Vizion Plus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *