Subscribe

Deputetë dhe ekspertë të Partisë Demokratike kanë denoncuar ligjin e miratuar një ditë më parë nga mazhoranca socialiste për zonat e mbrojtura. Sipas deputetes Ina Zhupa, me hyrjen në fuqi e këtij ligj asnjë park kombëtar e asnjë zonë në Shqipëri nuk është e mbrojtur nga ndërtimet.

“Në çdo pikë të zonave të mbrojtura ti mund të ndërtosh, mjafton që të marrësh miratimin në KKRT, mjafton që Këshilli i ministrave, Edi Rama të të japë firmën fap e fap dhe ti mund të ndërtosh në cilëndo zonë të mbrojtur të Shqipërisë. Ti mund të ndërtosh në Butrint, Karavasta”,  tha Zhupa.

 Ndërkaq deputetja e Divjakës Ilda Dhori theksoi se banorët e zonës së Divjakës dhe zonave të tjera ku do të ndërtohet nuk përfitojnë asgjë.

“Ne para një viti e gjysmë luftuam për heqjen e traut dhe na u pompua se trau do të mbronte parkun kombëtar të Divjakës. Por në fakt tani po e heqin si park kombëtar dhe po ia heqin mbrojtjen duke e kthyer parkun kombëtar të Divjakës dhe të gjithë parqet e tjera në zona tërësisht të pambrojtura përballë ndërtimeve”,  u shpreh Dhori.

 Pavarësisht kritikave të opozitës për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe protestës së shoqatave për mbrojtjen e mjedisit, 74 deputetë të mazhorancës votuan pro këtyre ndryshimeve. Ndërkaq Delegacioni i Bashkimit Evropian deklaroi se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të Brukselit për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *