“Nuk ka krizë në ndërtim”, Rama: Transformimi i Tiranës nisi kur mora Bashkinë

Rritja e çmimeve të apartamenteve dhe zhvillimi i sektorit të ndërtimit ishin në fokus të episodit të radhës të podcastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë kundërshtoi pretendimet për një krizë në tregun e pasurive të paluajtshme, duke e lidhur rritjen e vlerës së pronave me investimet në infrastrukturë dhe transformimin urban të kryeqytetit.
Duke u kthyer pas në kohë, në vitet kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, Rama kujtoi se transformimi i kryeqytetit nisi me ndërhyrje në fasadat e pallateve, rehabilitimin e trotuareve dhe përmirësimin e ndriçimit publik.
Megjithatë, kryeministri pranoi se rritja e çmimeve e ka bërë më të vështirë blerjen e një banese për një pjesë të qytetarëve. Si zgjidhje Rama përmendi ligjin e ri për strehimin, i cili parashikon mekanizma mbështetës për familjet me mundësi të kufizuara ekonomike.
Përtej zhvillimit urban dhe sektorit të ndërtimit, kryeministri u ndal edhe te rëndësia e promovimit të produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Teksa qeveria e konsideron ndërtimin një sektor që vijon të ketë kërkesë, përballueshmëria e çmimeve të banesave mbetet një nga sfidat për qytetarët që synojnë të bëhen pronarë të një shtëpie.
“Nëse unë mund të them se kam luajtur një rol në një gjë, kjo është rritja e vlerës së pronës në Tironë, që kur kam nisur punën si kryetar bashkie dhe nisa të pikturoj e rregulloj trotuaret, të vë drita, sepse që aty nis rritja e vlerës së pronës. Atëherë ato mundësi ishin, të bënim ndryshimin me bojë, tani është krijuar mundësia për të bërë ndryshimin me arkitektët më të mirë të botës. Para 2-3 ditësh fitoi në festivalin botëror të arkitekturës një projekt i Tiranës, i bërë nga Herzog & De Meuron. Ku i dilte ndonjëherë emri Tiranës dhe Shqipërisë për gjëra të bukura? Përtej kësaj, ai që është fakt, është se fatmirësisht nuk ka një krizë të ndërtimit në Shqipëri dhe Tiranë dhe me ligjin e ri të strehimit kemi futur disa komponentë të rinj financiarë që do të ndihmojnë ata që nuk arrijnë dot të bëjnë një shtëpi”, tha Rama.
/vizionplus.tv




