Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se qeveria nuk do të ngrejë Bordin e Transparencës për çmimin e naftës, pavarësisht rritjes së çmimeve të karburanteve.
Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se është vendosur vijimi i politikës së subvencionimit të një pjese të kostos së naftës për transportin publik, me qëllim që rritja e çmimeve të mos përkthehet në kosto shtesë për qytetarët.
“E kemi diskutuar çështjen e çmimeve të naftës dhe rritjes së çmimeve të naftës. Kemi marrë një vendim për të vazhduar politikën e mbështetjes së subvencionimit të një vlere të çmimit të naftës. Kemi marrë këtë vendim sepse synojmë të mos kemi kosto shtesë për qytetarët”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se qeveria do të monitorojë çmimet e konsumit dhe do të publikojë çdo javë një pasqyrë të tyre.
Sipas ministres, ushqimet zënë peshën më të madhe në shportën e konsumit, rreth 38-39%, ndërsa karburanti përbën rreth 3%.
Duke iu referuar situatës së krijuar nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe ndikimit të tij në tregjet e karburanteve, Ibrahimaj tha se Bordi i Transparencës nuk shihet si zgjidhje në këtë fazë.
“Bordi i Transparencës është një mekanizëm i krijuar për një periudhë afatshkurtër”, u shpreh ajo.
Ministrja theksoi se fokusi i qeverisë do të jetë monitorimi i çmimeve dhe vijimi i masave mbështetëse për sektorët që mund të preken nga rritja e kostove.





