Një vit pas ndarjes nga jeta të monarkes më jetëgjatë në historinë e Britanisë së Madhe, misteri i letrës mbretërore ka “pushtuar” mediat sociale.

 

Detaji i vetëm që është zbuluar është fakti që marrësi i kësaj letre të mbyllur në zarf është populli australian. Mbretëresha Elizabeth II e pëlqente shumë Australinë dhe e ka vizituar këtë kontinent zyrtarisht mbi 16 herë gjatë jetës së saj.

 

Monarkja e ka shkruar letrën në vitin 1986 gjatë një vizite në Sidnei për të festuar restaurimin e ndërtesës së mbretëreshës Victoria. Në zarf, Elizabeth shkroi udhëzime për kryetarin e bashkisë që do të ishte në detyrë në vitin e caktuar, pra dikush që as nuk kishte lindur në atë kohë: “Në një ditë të zgjedhur nga ju në vitin 2085 ju mund ta hapni këtë zarf dhe të përcillni mesazhin tim për qytetarët e Sidneit,” ka cilësuar mbretëresha, që ka lënë dhe nënshkrimin në zarf “Elizabeth R.”, që specifikon në latinisht dhe jo në anglisht se ajo është mbretëresha e Anglisë.

 

Zarfi iu dorëzua administratës së qytetit në atë kohë, e cila e vendosi në një kuti qelqi, ndërsa kjo e fundit u ruajt në një kasafortë bronzi brenda ndërtesës së mbretëreshës Victoria.

 

Çfarë shkroi Elizabeta në letër? Misteri është shumë i madh sepse asnjë nga pjesëtarët e stafit të mbretëreshës nuk e kanë idenë më të vogël për përmbajtjen e saj. Por, hamendësimet janë nga më të ndryshmet, nga zbulimi historik i diçkaje të bujshme, deri te rrëfimi i një sekreti që lidhet me familjen mbretërore dhe popullin australian.

 

Ndoshta, është thjesht një letër mirënjohjeje për këtë vend ose një “marifet” i mbretëreshës për të mbajtur zgjuar vëmendjen e australianëve rreth figurës së saj dhe familjes mbretërore. Ku i dihet…Duhet të presim deri në 2085-ën që të hapet letra!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *