Një zjarr i cili shpërtheu në një klub nate në qytetin lindor të Koçanit në Maqedoninë e Veriut, vrau 59 persona, sipas ministrit të Brendshëm të vendit.
Të paktën 155 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar. Sipas mediave lokale, viktimat janë nga mosha 15-25 vjeç.
Ministri i Brendshëm i vendit, Pance Toskovsk tha se zjarri u shkaktua nga lëndër piroteknike të përdorura në koncert.
Të rinjtë ishin mbledhur për të ndjekur performancën e grupit të hip-hopit “DNK”.
View this post on Instagram
Në rrjetet sociale janë postuar fotot e disa prej të rinjve që humbën jetën. Mes tyre është futbollisti i Shkupit, Andrej Lazarov dhe katër anëtarë të grupit “DNK’.



Futbollisti i kombëtares Bojan Miovski ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë dhe gjithashtu ka shpërndarë një mesazh për ikjen e parakohshme të mikut të tij Lazarov.

“U prefsh në paqe vëllai im”, shkruan ai.
Sipas informacioneve të klubit të futbollit Shkupi, Lazarov, 25 vjeç ka qenë duke ndihmuar të pranishmit e tjerë të shpëtonin, por në fund ka humbur jetën vetë.
Në mesin e viktimave është edhe Aleksandat Efremov, këngëtar i grupit “DKN”.

Një tjetër tragjedi shpaloset në mediat vendase. Lepa Taseva 25 vjeç është mes viktimave.

Babai i saj, ishte në kërkim të Lepës dhe motrës së saj Marias.
Ai tha se një vajzë e gjeti, Marian, e cila ishte shtruar në spital. Ajo u plagos kur u rrëzua gjatë evakuimit dhe u shkel nga persona të tjerë në përpjekje për të shpëtuar.
Ndërsa vajzën tjetër e gjeti mes viktimave.

Pas tragjedisë, qeveria e ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për të nderuar personat që humbën jetën tragjikisht në Koçan.
Qeveria mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.
“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.

Më herët, ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi së lidhur me rastin e ndodhur në diskotekën “Pulse” në Koçan, Prokuroria ka arrestuar 15 persona si të dyshuar.
Në mesin të arrestuarve është edhe ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Ekonomisë, Razmina Çekiç, nga LSDM.


/vizionplus.tv





