Subscribe

Enkelejda Mema – Gazetare

Bajrma Begaj është presidenti i ri i zgjedhur i republikës. Pas betimit në 24 korrik, për pesë vitet e ardhshme në karrigen e presidentit do të ulet ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të Armatosura.

 

78 deputetë votuan pro Bajram Begaj. Kundër kandidatit të vetëm të propozuar nga Partia Socialiste ishte vetëm një dhe po aq një abstenim.

Vullnetin e tyre me votë të fshehtë  e shprehën 83 deputetë, të Partisë Socialiste, Social-Demokrate, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish aleati i Lulzim Bashës në parlamentaret e një viti më parë, PDIU.

Procesi i votimit u bojkotua nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe 16 deputetët mbështetës të tij.

Në mënyrë simbolike ata ngritën kartonat e kuq për të deklaruar votën kundër pa qenë e nevojshme ta shprehnin atë në kutinë e votimit.

Votimi u bojkotua edhe nga aleatët Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Dashamir Shehi, Agron Duka dhe katër deputetë të cilët nuk janë mbështetës as të Enkelejd Alibeaj dhe as të Sali Berishës, e konkretisht Grida Duma, Ervin Salianji, Agron Gjekmarkaj dhe Ferdinand Xhaferraj.

Procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit në raundin e katërt u bojkotua nga 37 deputetë të opozitës. Ata ishin Enkelejd Alibeaj bashkë me mbështetësit e tij dhe disa deputetë të tjerë të Partisë Demokratike që nuk janë pozicionuar as me Alibeaj dhe as me Berishën.

Edhe pse Partia Socialiste nuk arriti të përmbushë angazhimin e saj, për të zgjedhur pasuesin e Ilir Metës me më shumë se 84 vota, pra edhe me pëlqimin e një pjesëze të opozitës, kryeministri Edi Rama e qujti objektiv të përmbushur pasi mazhoranca qeverisëse i dha vendit një president me integritet.

Presidentit Ilir Meta nuk i dërgoi asnjë falenderim. Pak orë para votimit ai i dha fund ngërçit kushtetutes me firmosjen nga Turqia të dekretit të lirimit nga detyra të Bajram Begaj nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Si në të tre raundet e para që u dogjën pa asnjë kandidatë për president, pasi mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakordësinë për një figurë konsensuale në krye të shtetit, ish kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mungoi.

Deri në 24 korrik kur kreu i zgjedhur i shtetit Bajram Begaj do të betohet në parlament dhe më pas do t’i drejtohet institucionit të presidentit për të ushtruar detyrën e tij, do të jetë qartësuar edhe se nga cila partia e opozitës rrodhi e vetmja votë pro për të.

Nëse do t’i qëndrojmë deklaratës së Monika Kryemadhit që katër votat e LSI janë kundër, atëherë një nga tre deputetët e PDIU-s  mes Mesila Dodës, Shpëtim Idrizit dhe Nusret Avdullës votoi pro Bajram Begaj që të gjithë procesin e votimit për të e ndoqi i ulur në një nga llozhat e parlamentit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *