Instituti i Statistikave konfirmoi këtë javë bilancin tregtar të Shqipërisë, i cili për vitin që lamë pas u zgjerua më tej, duke thelluar hendekun mes import-eksporteve. Të dhënat flasin se ky deficit arriti në 541 miliardë lekë, apo 5.2 miliardë euro.

Ky hendek u përforcua si pasojë e rënies me 6% të eksporteve shqiptare. INSTAT konfirmoi se niveli i eksporteve në vlerë arriti në 346 miliardë lekë, me një rënie konstante në tre vitet e fundit.

Por numri dy i Ministrisë së Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” tha se po ndryshon struktura e eksporteve shqiptare, duke u orientuar nga produktet te shërbimet.
“Struktura e eksporteve është në ndryshim. Ajo që ne shohim është se eksporti i produkteve zë një peshë të vogël në totalin e eksporteve, me afro 15.2%, ndërsa pjesa tjetër prej 84.8% janë eksporte shërbimesh, ku dega kryesore është turizmi”, – tha Musabelliu.
Por pavarësisht shifrave, rënia e eksporteve të produkteve në vlerë për vitin 2025 është një sinjal për një fokus edhe më të madh të politikave të qeverisë. Sipas Musabelliut, në planin 4-vjeçar do të forcohet roli i diplomacisë ekonomike me synim nxitjen e prodhimit shqiptar.
“Ne brenda vitit 2026 do të miratojmë një ligj për të krijuar brandin ‘Made in Albania’. Ky brand do të ketë rregulla strikte për certifikimin, për standardet që duhet të plotësojë, me qëllim eksportin. Madje, parashikohet që përmes certifikimit të ofrohen edhe nisma mbështetëse për bizneset. Ky ligj do të shoqërohet edhe me një rol më të madh të diplomacisë ekonomike”, – tha Musabelliu në Vizion Plus.
Rënia e eksporteve shqiptare lidhet me zhvlerësimin e ndjeshëm të monedhës europiane, por jo vetëm. Rritja e kostove, mungesa e fuqisë punëtore, pasiguritë në tregjet globale dhe konkurrenca e tregtisë online janë disa nga faktorët që ndikojnë në tkurrjen e eksporteve vendase.
/vizionplus.tv





