Edhe kjo Krishtlindje i gjeti besimtarët katolikë nën hijen e pandemisë duke i kufizuar festimet, si dhe bashkimet familjare e shoqërore.

 

Papa Françesku kremtoi një meshë solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit për rreth 2 mijë persona, rreth një e pesta e përmasave të viteve para pandemisë.

 

Mesazhi i tij iu drejtua më së shumti nevojtarëve, duke thënë se njerëzit që janë indiferentë ndaj të varfërve, fyejnë Zotin.

 

“Vëllezër dhe motra, duke qëndruar përpara djepit, ne soditim atë që është thelbësore, përtej të gjitha dritave dhe dekorimeve, të cilat janë të bukura. Foshnja Jezus i lindur në varfëri duhet t’u kujtojë njerëzve se shërbimi ndaj të tjerëve është më i rëndësishëm se kërkimi i statusit ose dukshmërisë sociale, apo kalimi i një jete në kërkim të suksesit. Le të kemi vetëm një frikë: se mund të ofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar të varfërit me indiferencën tonë.”

 

Sakaq, qyteti biblik i Betlehemit duket thuajse i zbrazur. Një ndalim i pothuajse të gjithë trafikut ajror drejt Izraelit, pika kryesore hyrëse për vizitorët e huaj që shkojnë në Bregun e pushtuar Perëndimor, i ka mbajtur larg turistët ndërkombëtarë për të dytin vit me radhë.

 

Panorama është e njëjtë edhe në Europë pasi shumë shtete kanë shtuar masat kufizuese që kanë rpekur kryesisht grumbullimet e njerëzve por edhe udhëtimet.

 

Edhe në Kosovë, festa mbërriti mes urimeve për mbarësi, paqe e mirëkuptim ndërmjet njerëzve. Mesha solemne u mbajt në katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë ku u bë thirrje për më shumë solidaritet dhe mirëkuptim ndërmjet njerëzve.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *