Mbretëresha e Rock’n’Roll-it, Tina Turner u shua ditën e djeshme në moshën 83-vjeçare.

 

Tina, emri i vërtetë i së cilës është Anna Mae Bullock, u bë e famshme në të 20-at e saj pasi performoi me Ike Turner dhe grupin e tij, Kings of Rhythm.

 

Për 16 vite ajo ishte e martuar me Ike Turner, me të cilin duket se nuk pati një jetë të qetë. Martesa e tyre përfundoi në vitin 1978, ndërsa 8 vite më vonë ylli i muzikës publikoi autobiografinë e saj “My Life Story”, ku tregonte se si Ike e kishte abuzuar përgjatë gjithë kohës që kaluan së bashku.

 

Por para se çifti të divorcohej, fama e tyre kishte arritur majat. Në vitin 1960, çifti hyri në top listat e pop-it me “A Fool in Love”, e më pas korrën sukses të jashtëzakonshëm me “It’s Gonna Work Out Fine”, “River Deep”, “Mountain High” dhe “Proud Mary”. Në 1991-shin dyshja hynë në “Rock ‘n’ Roll Hall of Fame”.

 

Pas divorcit, Mbretëresha e Rock’n’Roll-it vijoi të regjistrojë një sërë albumesh që janë klasifikuar si më të shiturit dhe kanë marrë një mori çmimesh.

 

Ajo publikoi albumin e saj debutues solo, “Private Dancer”, në 1984, me të cilin shiti më shumë se 20 milionë kopje në mbarë botën dhe fitoi tre çmime “Grammy”.

 

“What’s Love Got To Do With It” fitoi rekordin e vitit dhe performancën më të mirë. “Better Be Good To Me” gjithashtu fitoi performancën më të mirë vokale të rrokut nga një femër.

 

Gjatë karrierës së saj, Turner fitoi gjithsej tetë çmime “Grammy”, duke përfshirë çmimin për arritjet e jetës në 2018.

 

Karriera e Turner zgjati pesë dekada. Pas një turneu lamtumire në vitin 2000, ajo u rikthye në vitin 2008 duke kënduar në “Grammy Awards” dhe duke u nisur një turne për të festuar 50 vjetorin e saj në muzikë.

 

Turner u martua me Erwin Bach dhe braktisi shtetësinë e saj amerikane për t’u bërë shtetase e Zvicrës. Por edhe kur rigjeti dashurinë jeta nuk qe e lehtë për të. Në ditët e para të martesës së tyre, ajo pati probleme shëndetësore dhe ishte bashkëshorti ai i cili i shpëtoi jetën duke i dhuruar një nga veshkat e tij.

 

 

Në vitin 2020, ylli i muzikës publikoi një version të përditësuar të “What’s Love Got to Do With It”. Ajo hyri në top 40-shen në Mbretërinë e Bashkuar, duke e bërë atë artisten e parë që arriti këtë sukses në shtatë dekada.

 

Një vit më vonë, Turner ia shiti të drejtat e veprës së saj menaxhmentit të “BMG Rights” për më shumë se 50 milionë dollarë dhe u fut për herë të dytë në “Rock ‘n’ Roll Hall of Fame”, por kësaj radhe si një artiste solo.

 

Këtë të mërkurë, më 24 maj, ajo humbi betejën me një sëmundje të rëndë. Për shuarjen e saj kanë mbajtur homazhe emra të njohur të muzikës botërore dhe jo vetëm.

 

 

Beyonce e quajti Tina Turner “mishërim të pasionit dhe fuqisë”. Sir Mick Jagger-it tha se ajo ishte një “shoqe të mrekullueshme” dhe interpretuese “jashtëzakonisht të talentuar”.

 

Mariah Carey dhe Oprah Winfrey gjithashtu nuk i kursyen fjalët e mira për Turner, ndërsa përmendën edhe abuzimin që ajo përjetoi.

 

Familja Obama e vlerësoi yllin e muzikës për transmetimin e së vërtetës, gëzimit dhe dhimbjes nëpërmjet këngës.

 

 

Mes personazheve që shprehën dhimbje për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës së Rock’n’Roll-it ishte edhe presidenti aktual i SHBA-ve, Joe Biden, i cili vuri në dukje se Turner e kishte nisur jetën si bijë fermeri dhe përshëndeti talentin e saj.

 

Po ashtu, homazhe kreu Coldplay në koncertin që mbajti në stadiumin Olimpik, në Barcelonë.

 

Nga ana tjetër, Diana Ross tha se ishte “e tronditur” dhe “e pikëlluar” nga lajmi për Turner, ndërsa Dionne Warwick e kujtoi atë energjinë elektrizuese. Këta janë vetëm disa emra, pasi edhe shumë personazhe të tjerë kanë dhënë mesazhe ngushëllimi për shuarjen e Mbretëreshës së Rock’n’Roll-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *