Eligerta Sadja, që një vjeç në karrige me rrota ka përlotur studion e “Vizioni i Pasdites”.
Ajo rrëfeu historinë e saj, duke theksuar se shoqëria jonë shqiptare është shumë paragjykuese. Eligerta deklaroi se shumë njerëz në rrugë e shohin me mëshirë, dhe për të kjo vret shumë.
“Pjesa më e madhe e njerëzve më shohin me mëshirë. Në rrugë ndeshem me shikime të ndryshme. Disa më kanë shumë qejf, më shohin me buzëqeshje. Të tjerët më bëjnë këtë pyetjen, që për mua është e pavend, më thonë: Pse je kështu”, deklaroi Eligerta.
Eligerta tha se në kohën e saj të lirë ndjek shumë trajnime dhe merr pjesë nëpër aktivitete të ndryshme. Ajo shtoi se i është mohuar shumë herë mundësia për të punuar, pasi e kanë parë të ulur në karrige.
“Ndjek shumë trajnime, marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, shfaqje teatrale. Kam kërkuar për punë, kam dërguar CV kudo dhe nuk kam marrë përgjigje. Dhe kjo është ajo që më vret se nuk më japin përgjigje qoftë pozitive qoftë negative. Kam një rast konkret, realizova një intervistë online dhe çdo gjë ishte dakord. Në momentin që shkova më panë me një sy ndryshe, u shmangën dhe më thanë që kemi dhe një vajzë tjetër që ka më shumë eksperiencë”, tha Eligerta. /vizionplus.tv





