Subscribe

KQZ hedh hapin e parë për mundësimin e votës së diasporës.

 

Tre vite nga parlamentaret e 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve propozon rregullin e parë për mundësimin e votës së diasporës. Që të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të shprehin vullnetin e tyre politik nga aty ku janë fillimisht do të duhet të regjistrohen.

 

Komisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi propozon që të jetë KQZ ajo që ta administrojë këtë procedurë. Mënyrat janë dy: përmes faqes zyrtare të saj ose përmes një aplikacioni të dedikuar.

 

Pa qenë e nevojshme të kthehen në atdhe, përmes teknologjisë, votuesi jashtë vendit do të duhet të plotësojë formularin elektronik me të gjitha gjeneralitetet, ku pika kryesore është deklarimi i vendbanimit të përhershëm.

 

Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërteton të dhënat dhe vullnetin për të marrë pjesë në zgjedhje, ato ia dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Me bërjen e përputhshmërisë, nga ky çast zgjedhësi zhvishet nga çdo pengesë për të votuar nga jashtë.

 

Emri i tij vendoset në listën e posaçme të votuesve nga jashtë dhe fshihet nga lista e zgjedhësve brenda vendit.

 

E gjithë procedura e regjistrimit të diasporës që sipas projektvendimit kërkon miratimin e Komisionit Rregullator, nis 15 ditë nga shpallja e datës së zgjedhjeve. Të drejtën e votës nga jashtë e zotërojnë të gjithë ata shqiptarë që prej më shumë se tre muajsh jetojnë jashtë vendit.

 

Mënyra e regjistrimit është hapi i parë. Ajo që pritet të shkaktojë debat mes partive politike pritet të jetë mënyra e votimit, me postë, elektronik, në selitë diplomatike dhe garancia për mostjetërsimin e vullnetit politik të diasporës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *