Nisma e deputetit të mazhorancës Blendi Klosi, për të shtyrë edhe me dy vite, deri në fund të vitit 2026 përjashtimet nga taksat investitorët që ndërtojnë hotele me 4-5 yje, mori miratimin e komisionit të ekonomisë.
“Politika mbi investimet për hotelet 4 dhe 5 yje është një politikë për të tërhequr emrat më të mirë të hoteleve në botë. Kanë përfituar deri tani 11 subjekte me brande ndërkombëtare dhe janë në proces dhe 11 të tjera. Vlera totale e investimit arrin në 450 mln euro. Flasim për objekte të reja që ndërtohen. Nuk përfitojnë objektet ekzistuese që marrin një brand ndërkombëtar. Investimet janë të shtrira, jo në zona urbane, por në ato me përparësi zhvillimin turistik”, sqaroi Blendi Klosi në komisionin e ekonomisë.
Por çfarë përfitimesh kanë sjellë investimet e tilla deri tani?
“Për vitin 2023 totali i fitimit të realizuar nga 10 kontrata arrin në 5.2 miliard lekë. Ndërsa rezultojnë se janë hapur 888 vende të reja pune nga këto investime”, deklaroi Arjana Dyrmishi, drejtore e politikave fiskale në MF.
Por a kemi të bëjmë me një favor fiskal për disa kompani apo është mundësi për të tërhequr investitorë serioz?
“Është favor fiskal, rrotulloje nga të duash, ndaj ka nevojë që të ketë më shumë transparencë”, tha deputeti Braçe.
Por opozita e vlerëson këtë nismë si një privilegj që po i jepet disa individëve, për më tepër që po jepet pak para procesit zgjedhor.
“Unë jam kundër ligjeve speciale dhe ky është një i tillë, ai prek vetëm një numër të vogël individësh. Me ato shifra fitmesh prej 500 mijë euro s’kemi as një përftim ekonomik. Edhe ligji i investimeve strategjike është një ligj klientelist. Lidhet dhe me shumë ligje të tjera klienteliste. 17 ligje speciale ka miratuar parlamenti”, tha Jorida Tabaku deputete e PD.
Një emër ndërkombëtar në fushën e hotelerisë është një mundësi më shumë për të tërhequr turistë elitarë, për të ofruar shërbime turistike me standardë, për të cilat Shqipëria ka nevojë./vizionplus.tv