EMRAT/ Zbulohet “bunker” nëntokësor me kanabis në Shkodër, 10 të arrestuar dhe 170 kg drogë e sekuestruar

Një ambient nëntokësor me hyrje të kamufluar, i përshtatur për kultivimin e kanabisit me llamba dhe për përpunimin e lëndës narkotike, është zbuluar në Shkodër.
Në kuadër të operacionit policor “Labirinti” janë arrestuar 10 persona, Dorjana Kovaçi, Migena Perçi, Agim Kovaçi, Endrit Kovaçi, Ronaldo Dule, Arben Guri, Artur Lika, Fatmir Luka, Ervin Toli dhe Anton Toli.
Ndërkohë janë sekuestruar rreth 2 600 bimë kanabis të kultivuara në vazo dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar.
NJOFTIMI:
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Labirinti”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u ushtruan kontrolle në dy objekte në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”.
Gjatë kontrollit në njërin prej objekteve, një magazinë, shërbimet e Policisë zbuluan një hyrje të kamufluar që të çonte në një ambient nëntokësor. Ambienti ishte i ndarë në dy pjesë, njëra e përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave dhe tjetra për përpunimin e lëndës narkotike.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë 10 shtetasit e konstatuar në këtë ambient:
-D. K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, të dyja banuese në Gjirokastër;
-A. K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, të tre banues në Cërrik;
-A. G., 37 vjeç, banues në Tiranë;
-A. L., 46 vjeç, banues në Poliçan;
-F. L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, të dy banues në Ishull-Lezhë;
– E. T., 25 vjeç, banues në Mirditë.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. L., 46 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga DVP Shkodër.
Gjatë kontrollit në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, si dhe 170 kg lëndë bimore e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
/vizionplus.tv




