Presidentja e Ksovës, Vjosa Osmani njoftoi sot nisjen e procedurave për hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja në vend. Në një prononcim për mediat, Osmani tha se ka marrë sot shkresën zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ, të certifikuara një ditë më parë.
“Për momentin, ekipi im ligjor është duke e analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitje të kësaj seance në mënyrë që kur të thirret seanca edhe të jetë e suksesshme, pra të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund t’ju jap një datë sepse dua të jem e saktë, por shumë shpejt do ta keni edhe datën”, tha Osmani.
Edhe kryeministri në detyrë Abin Kurti u pyet nga gazetarët se kur do të nisë bisedimet për formimin e qeverisë së re por nuk pranoi të përgjigjet.
Nga ana tjetër, Bedri Hamza, kandidat për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës e cila doli parti e dytë, mbajti një konferencë për mediat lidhur me qëndrimet e kësaj force politike.
“Në rast se partia e parë nuk arrin brenda afateve ligjore dhe kushtetuese, unë jam i gatshëm si kandidat për kryeministër nga PDK t’i marr përgjegjësitë për krijimin e Qeverisë. Jam në komunikim me partitë opozitare, jemi në biseda me partitë që kemi qenë në opozitë që ne ta krijojmë Qeverinë” , tha Hamza.
Hamza tha se nuk do të përjashtonte asnjë parti politike apo politikan dhe është i gatshëm të bisedojë me të gjithë por se deri më tani ka biseduar vetëm me partitë qopozitare.
“Me partinë e parë, LVV-në nuk kemi deri në këtë moment kurrfarë komunikimi zyrtar. Nuk kemi pranuar ftesë, nuk kemi bërë ftesë sepse ftesa dhe radha dihet si shkon. Realisht, për shkak të programeve, bindjeve politike dhe koncepteve, gjithmonë e kam thënë që për mua është e preferueshme krijimi i Qeverisë me LDK-së dhe partitë e tjera që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës”, shtoi Hamza.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 48 mandate, PDK-ja 24, LDK-ja 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9. Qeveria e re kërkon të paktën 61 mandate.





