Testet model të maturës shtetërore u shpërndanë në fillim të këtij muaji, ndërkohë që gjimnazistët kanë nisur përgatitjet. Sipas tyre, testet ishin të një niveli mesatar.
“Testet ishin të asimilueshme, direkte. Sapo i morëm, i punuam, sipas asaj që kemi parë në program. Ishin të një niveli mesatar dhe përfshinin ushtrime të të gjitha niveleve – nga ato më të thjeshta deri tek ato më të vështira.
Kuptojmë që periudha deri në provime nuk është e gjatë, dhe pak nga pak ka nisur stresi i tyre. Një nxënës që ka punuar rregullisht mund t’i zgjidhë 30 pyetjet e një testi model brenda 2 orëve e gjysmë, gjë që është mëse e mjaftueshme”, tha David Prifti, maturant.
“Konsultimet tani kanë filluar, por kemi nisur përsëritjet që më përpara. Kur kishim nevojë për diçka, mësuesit kanë qenë gjithmonë të gatshëm të na ndihmojnë. Sigurisht, ka emocione dhe stres, por nëse punojmë, do të jemi më të qetë kur të jemi para provimit”, tha Morena Vangjeli, maturante.
Mësueset shpjegojnë se pse zgjodhën t’u japin nxënësve teste të kësaj natyre.
“Kishte ushtrime që secili nxënës mund të gjente veten e tij – nga niveli N2 deri në N4. Përsëritjen e kemi filluar që para dy muajsh. Në çdo situatë brenda orëve mësimore bëjmë një përsëritje të temave që kemi trajtuar më parë”, tha mësuesja Margarita Facaj.
Datat e provimeve të maturës janë publikuar nga Ministria e Arsimit, ndërsa ato do të nisin më datë 3 qershor./vizionplus.tv




