Për maturantët gara për universitetin ka hyrë tashmë në fazën vendimtare. Këtë të mërkurë kanë nisur regjistrimet në shkollat e larta, ndërsa kandidatët fitues kanë 7 faza me nga 48 orë kohë për tu regjistruar.
Mjekësia e Përgjithshme mbetet ndër programet më të kërkuara. Për maturantët e shpallur fitues, regjistrimi vjen si rezultat I një punë dhe përgatitjeje të vazhdueshme.
“Për këtë degë kam tre vjet që punoj për t’u regjistruar në Mjekësi, Stomatologji, nëse do të më dilte, dhe Inxhinieri Kimike”.
“Kam pëlqyer shumë edhe Inxhinierinë e Ndërtimit. Mes këtyre dy degëve isha, megjithatë zgjodha Mjekësinë, se ishte ëndrra ime”.
“Rezultatet i kisha shumë të larta. Ndihem shumë krenare për punën, që më në fund m’u shpërblye”.
“Isha e emocionuar, normalisht, por edhe shumë krenare, sepse puna u shpërblye”.
Drejtori I Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, bën të ditur se mbi 3 mijë maturantë janë regjistruar që prej orëve të para.
“Me fillimin e procesit të regjistrimeve, kemi mbi 3.000 maturantë të regjistruar. Kjo bën të fillojë edhe lirimi i vendeve të studimit për të tjerët”, tha Xhelaj.
Për kandidatët që ende nuk e shohin emrin mes fituesve, Xhelaj këshillon të mos nxitohen në zgjedhjet e tyre. Çdo regjistrim në një program studimi mund të lirojë një tjetër preferencë të kandidatit dhe rrjedhimisht një vend për maturantin që ndodhet më poshtë në renditje.
“Duhet të bëjnë kujdes, të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të mos nxitohen për t’u regjistruar në degën e parë që del fitues. Të shikojnë garën, të shikojnë shanset që u krijohen për të fituar një program studimi. Me përfundimin e fazës së parë, do të kemi shumë vende studimi të lira, të cilat janë liruar nga këta maturantë që kanë fituar minimalisht nga gjashtë deri në dhjetë programe studimi”, shtoi Xhelaj.
Raundi i parë i regjistrimeve zhvillohet në shtatë faza, me nga 48 orë secila. Pas çdo faze, në portalin U-Albania përditësohet renditja dhe zhvendoset vija e kuqe që ndan fituesit nga kandidatët në pritje.





