Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur zyrtarisht prodhimi i fletëve të votimit për zgjedhësit nga jashtë vendit në parlamentaret e 11 majit.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, njoftoi se fletët po printohen nga një kompani sllovene dhe se brenda datës 8 prill pritet të vijnë në Shqipëri.
“Midis 8-9-10 fillojmë përgatitjen e zarfave dhe dokumentacionin që do t’u dërgohet votuesve, duke shpresuar që ky process të realizohet brenda datës 15-17 Prill. Kohë e mjaftueshme sipas parashikimeve kontraktuale që do të kemi me operatorin e shërbimit postar për të dërguar zarfat, për t’i dhënë kohë rreth 3-4 ditë për të plotësuar fletën e votimit dhe koha për t’u kthyer në KQZ deri në 19:00 të datës 11 Maj”, tha Celibashi.
Sa i përket mënyrës së votimit, Celiabshi u shpreh se KQZ ka përgatitur edhe një udhëzues që do të lehtësojë votuesit.
“Po ndërtojmë një sistem të ndihmës dhe këshillimit për votuesit nga jashtë nëse kanë nevojë për sqarime për procedurat e votimit. Në setin e dokumentacionit, që do t’u dërgojmë do të jerë edhe një udhëzues që sqaron qartësisht se çfarë duhet të bëjë votuesi nga jashtë”, tha Celibashi.
Nga diaspora pritet të votojnë rreth 245, 935 votues, ndërsa KQZ njoftoi gjithashtu se ka nisur procesin e përgatitjes teknike të pajisjeve të votimit elektronik që do të zhvillohet në Vorë dhe në njësinë 10 në kryeqytet./vizionplus.tv





