Nën akuzën e korrupsionit, nisi këtë të hënë gjyqi ndaj Sali Berishës.
Në Gjykatën e Posaçme avokatët e të pestë të pandehurve, njëzëri, kërkuan që çdo vendim i marrë deri më sot, çdo akt ligjor, e për rrjedhorë edhe çdo provë të shpallet e pavlefshme.
Ata thonë se në dosje provat janë të përgjithshme, ndërsa Prokuroria e Posaçme, ka dështuar t’i identifikojë ato individualisht.
Këtë mbrojtje e bëri fillimisht avokati Sokol Hazizaj i ndërtuesit Fatmir Bektashi dhe i shoqërisë së tij, “Homeplan”.
Të dy, edhe subjekti tregtar, por edhe personi fizik, thotë Hazizaj, konsiderohen njëlloj, ndaj është e pamundur sipas tij të evidentohen shkeljet e kompanisë dhe të individit.
Avokatja e noteres Andia Pustina dhe studios së saj, Klodiana Gjyzari thotë se Gjykata Kushtutetuese, përmes një vendimi, ende të pabotuar në Fletoren Zyrtare, i ka konsideruar kontrollet dhe sekuestrot në këtë zyrë, të paligjshme.
Kjo u pohua edhe nga avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, që ironizoi gjetjet e Strukturës Antikorrupsion.
Gjokutaj: Të gjitha sekuestrimet te zyra Pustina janë në kundërshtim me ligjin, të pavlefshme, as më shumë e as më pak atë që kemi thënë ditën e parë. Tani po i hapen petët lakrorit, dhe prokurori kërkoi kohë të përgatitet se mbase i bën të vlefshme. Ky vendim do të thotë se gjithë prova që kanë sjellë në gjykatë, përveç mungesës së faktit penal, por edhe ato që i konsiderojnë prova të pavlefshme, s’mund të vihen në themel të një vendimi fajësie.
Në gjykatë ishte i pranishëm, Jamarbër Malltezi, që me vjehrrin e tij ndan akzuën e korrupsionit, por edhe një më shumë: atë të pastrimit të parave.
Malltezi: Kam bërë kërkesë që të regjistrohet e gjithë seanca, për të patur një proces sa më transparent dhe të dëgjohen qëndrimet e të gjitha palëve. Por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë duke vendosur që mund të lejohet vetëm regjistrimi i fillimit të seancës. Unë nuk mund ta lejoj këtë që të regjistrohen pamje sa për shoë.
Prezent ishte edhe biznesmeni i pandehur Xhimi Begeja, ndërsa tre të tjerët, jo. Në mënyrë që të njihet me kërkesat e palës mbrojtëse, por edhe me vendimin e Kushtetueses, prokurori që përfaqëson akuzën e SPAK, Arben Kraja kërkoi kohë. Diçka e tillë u pranua nga togat e zeza, që e shtynë gjyqin për në datën 13 tetor, ku pritet edhe vendimi nëse do të shpallen apo jo të pavlefshme aktet dhe provat mbi të cilat ngrihet krejt procesi gjyqësor./vizioplus.tv





