Subscribe

Maqedonia e Veriut nisi këtë të hënë fushatën zgjedhore presidenciale. Në garë për postin e kreut të shtetit janë tre kandidatë. Blerim Reka, kandidat i pavarur i mbështetur nga dy parti opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, Gordana Siljanovska nga partia opozitare VMRO DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga koalicioni BDI – LSDM. Një ditë para fillimit fushatës të tre kandidatët u zotuan për zgjedhje korrekte dhe demokratike, duke nënshkruar një marrëveshje.

 

“Unë shpresoj se do të jetë një garë e drejtë,  ligjore dhe e rregullt, fundja nuk është aq me rëndësi se kush fiton por me rëndësi është që Republika e Maqedonisë së Veriut do të fitojë, dhe të fitojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.”

 

Edhe kandidatja nga radhët e opozitës tha se nuk e sheh garën si beteje mes armiqsh.

 

“Bashkëpjesëmarrësit në zgjedhje nuk i shoh si armiq, ndërsa neve grave nuk na ka hije që të mos e respektojmë etikën. Edhe pse jam grua, pres një betejë me argumente e jo me lojëra bizantinësh. Mendoj se fjalën e fundit do e kenë qytetarët.”

 

Ndërkohë kandidati i propozuar nga koalicioni deklaroi se do te zbatoje marrëveshjen.

 

“Në emrin tim jam i bindur, por edhe në emër të kandidatëve kundërshtarë të mi, se mund të garantojmë që këtë që nënshkruam do ta zbatojmë praktikisht në terren.”

 

Zgjedhjet do të mbahen më 21 prill dhe të drejtë vote kanë rreh 1.8 milionë qytetarë. Megjithëse kandidati Blerim Reka e ka vështirë të kalojë në balotazh, janë votat e shqiptarëve që vendosin se kush do të jetë president i Maqedonisë së Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *