Ka nisur këtë të diel faza e dytë e regjistrimeve për vitin akademik 2025–2026 në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit.
Sipas njoftimeve zyrtare, kjo fazë e raundit të parë të regjistrimeve do të zgjasë vetëm 48 orë.
Pra çdo maturant i shpallur fitues ka dy ditë kohë për t’u regjistruar, përndryshe vendi i tij i kalon automatikisht një kandidati në pritje.
Kandidatët që kanë rezultuar fitues duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse me dokumentacionin e nevojshëm për të finalizuar regjistrimin.
Pas çdo faze zhvendoset e ashtuquajtura “vija e kuqe” në listë, duke krijuar mundësi për përfshirjen e fituesve të rinj në fazat pasardhëse.
Pas përfundimit të tyre do të ketë edhe një periudhë çregjistrimi për ata që dëshirojnë të ndryshojnë degën dhe të rikthehen në garë për raundin e dytë.
Më herët, faza e parë e regjistrimeve u zhvillua menjëherë pas shpalljes së listave të fituesve, ndërsa pas përfundimit të kësaj faze të dytë, procesi do të vijojë me fazat e tjera sipas kalendarit të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.





